Për herë të parë, Kristi Vangjeli doli para medieve sportive në vend në rolin e zëvendëstrajnerit të Tiranës.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares theksoi se për të fillon një etapë e re në futbollit dhe se Tirana është klubi i duhur për ta nisur këtë përvojë.
“Dua të falënderoj presidentin Refik Halili dhe drejtuesit e tjerë të Tiranës që më dhanë këtë mundësi. Ishte e paramenduar kjo lëvizje dhe duke parë moshën që kam, është momenti i duhur për të lënë karrierën si futbollist dhe për të nisur një epokë e re.
Është privilegj për mua të jem në këtë klub. Si futbollist, kisha marrëdhënie shumë të mira me lojtarët e tjerë, por tani ndryshojnë raportet, do të kem gjithmonë vlerësim për ta dhe do të mundohem t’i ndihmoj në stërvitje, për të dhënë më të mirën në ndeshjet e çdo jave”.
Bashkëpunimi me Shehin: “Me Orgesin njihemi prej kohësh, kemi bërë histori bashkë si pjesë e Skënderbeut, kemi zhvilluar ndeshje të mëdha. Për mua u bë më e lehta të afrohesha në këtë klub duke e ditur sesi ai mendon dhe punon. Bashkëpunimi mes nesh do të jetë shumë i mirë".