E diela e fundit e futbollit europian në Supersport për vitin 2021 vjen më spektakolare se kurrë.
Është një e dielë jo si gjithë të tjerat pasi eventet futbollistike do të jenë të shumta dhe emocionet parashikohen të garantuara. Pas më shumë se 2 javësh pa zbritur në fushë Tottenham do të presë sot në shtëpi Liverpoolin në superduelin e javës së 18-të. Spurs-at e Contes janë të freskët por edhe pse kanë rigjetur disa lojtarë kanë ende mungesa të rëndësishme për shkak të COVID-19, ndërkohë që Liverpooli i Klopp po kalon një moment të shkëlqyer forme dhe do të synojë fitoren në Tottenham Stadium për të mos ju ndarë Manchester City që nga ana tjetër ka një ndeshje të lehtë në letër ndaj Newcastle në transfertë.
Më herët në orën 15:00 Chelsea sfidon Wolves në një ndeshje sa të vështirë aq edhe delikate pasi një tjetër rezultat negativ mund t’i largonte shumë nga kreu.
Në La Liga vëmendjen e merr ndeshja e kryesuesve të Realit të Madridit që pavarsisht mungesave për shkak të COVID-19, nuk pritet të hasin vështirësi në sfidën e Bernabeut ndaj Cadiz, ku do të kenë mundësi t’i kundëpërgjigjen Sevillas që me fitoren ndaj kampionëve të Atletico Madrid u konfirmua si rivalja e vetme e Realit në garën për titull. Më herët në orën 16:15 në ekranin e Supersport do të keni mundësi të ndiqni edhe ndeshjen mes Athletic Bilbao dhe Real Betis. Në Gjermani spikat sfida Freiburg-Bayer Leverkusen ndërkohë që në Holandë është dita e klasikes Feyenoord-Ajax.