“Los Blancos” do të mundohen ta shfrytëzojnë gabimin e mbrëmshëm të Sevillës ndaj Barcelonës në vizitën që do t’ia bëjnë sonte Athletic Bilbaos
Real Madridi e ka një mundësi të artë sonte në kampionatin spanjoll.
“Los Blancos” do të mundohen ta shfrytëzojnë gabimin e Sevillës, e cila barazoi me Barcelonën, për t’u shkëputur edhe më shumë në krye të tabelës.
Ekipi i Carlo Ancelottit do të përballet me Athletic Bilbaon në udhëtim, në kuadër të xhiros së 21-të të La Ligas.
Me një fitore eventuale, “Mbretërit” do të shkëputeshin në tetë pikë ndaj ekipit andaluzian.
Mirëpo, madrilenët i pret një punë e vështirë pasi Bilbao është mjaft i fuqishëm dhe i papërshtatshëm kur luan në shtëpi. Reali do të ketë shumë mungesa të rëndësishme në këtë takim.
Lojtarët si Modric, Bale, Isco, Alaba, Marcelo, Rodrygo e Lunin do të mungojnë shkaku i infektimit me variantin e ri të COVID-19, “Omicron”.
Carvajal e Ceballos janë të lënduar, kurse Casemiro është i suspenduar.
Skuadra baske aktualisht gjendet në vendin e dhjetë në kampionatin spanjoll.
Ky takim do të fillojë në orën 21:30.
Kjo njëherësh do të jetë ndeshja e fundit për këto dy ekipe për vitin 2021.
Paraprakisht, sonte nga ora 19:00 do të luajë edhe kampioni aktual spanjoll, Atletico Madrid.
“Los Colchoneros” do ta vizitojnë Granadan, në tentim për ta mbyllur vitin e paharrueshëm me fitore.
Kjo është ndeshje e mbetur e xhiros së nëntë të La Ligas.