Janë luajtur sot tre ndeshje të javës së 15-të në Kategorinë e Parë. Rikthehet te fitorja Lushnja pas tetë javësh, teksa Apolonia dhe Tomori siguruan fitore në transferta.
Laguanrët mposhtën 4-1 Shkumbinin, me Xhymertin që zhbllokoi ndeshjen në fundin e pjesës së parë (41’). Hima dyfishoi për vendasit në fillimin e pjesës së dytë (48’).
Onuh realizoi golin e vetëm për ekipin peqinas tetë minuta më vonë, por Dedej gjeti dy herë rrugën e rrjetës në minutat e mbetura dhe vulosi suksesin me “poker” të Lushnjes.
Apolonia fitoi 0-2 në Vorë, duke arritur triumfin e dytë radhazi në kampionat. Skuadra fierake gjeti golat e fitores në pjesën e dytë me anë të Jeton Krasniqit. Sulmuesi 20-vjeçar realizoi në minutat e 68’ dhe 84’.
Apolonia është ngjitur përkohësisht në vend të gjashtë me 22 pikë, ndërsa Vora mbetet në vend të tretë nga fundit. Festoi edhe Tomori pas fitores 0-3 në Pogradec.
Goli i Oshafit (28’) kaloi beratasit në avantazh, ndërsa në fraksionin e dytë të takimit shënoi Mario Barjamaj një dygolësh (75’, 90’). Suksesi i sotëm ka ngjitur Tomorin në vend të katërt me 25 pikë.