Nicolas Pepe nuk është i kënaqur me minutazhën e tij tek skuadra londineze Arsenal, por kjo pakënaqësi është diçka që trajneri Mikel Arteta dëshiron që ta shoh.
Sulmuesi anësorë filloi nga minuta e 1’ në fitoren 5:1 të Arsenalit mbrëmë kundër Sunderland, kështu duke shënuar golin e dytë të “Topçinjëve” dhe duke asistuar në dy golat e fundit të Eddie Nketiah dhe Charlie Patino, përcjell KosovaPress.
Ndeshja e mbrëmshme ishte vetëm e teta për Pepen si startues në të gjitha garat këtë sezon, ku në total ka zhvilluar vetëm 759’ minuta lojë në të gjithë sezonin 2021/22, më pak se Gabriel Martinelli dhe Alexandre Lacazette.
Arteta tha që Pepe është vazhdimisht duke luftuar për minutazhë më të mirë me “Topçinjtë”, gjë kjo që trajneri i Arsenalit e dëshiron nga secili lojtarë në skuadër.
“Një lojtar që nuk luan, nëse është i lumtur atëherë ju keni një problem të madh dhe Pepe nuk është i lumtur”, tha Arteta për lojtarin më të shtrenjtë në histori të Arsenalit.
“Ai vazhdimisht mundohet që të na vë në pozita jo të mira, duke kërkuar më shumë minutazhë të lojës, sepse kjo është ajo që ai dëshiron, dhe është pozitive sepse ky është mentaliteti që unë dëshiroj nga këta lojtarë”, shtoi trajneri i Arsenalit.
Pepe mund të fillojë nga minuta e parë ndeshjen kundër skuadrës së Norwich Cityt në Premier Ligën angleze, ndeshje kjo e fundit për Arsenalin këtë vit, ku edhe ky i fundit është duke u përgatitur për tre ndeshje në ligë brenda një periudhe prej vetëm pesë ditësh.