Derbi i kryeqytetit, show më spektakolar i futbollit tonë, vjen në pikëtakimin e rradhës, me veçantinë e atmosferës së festave.
Si një kartolinë për gjithkënd që tek kampionati dallon ende shpresën tek e mira në këto kohë të liga, për çdonjërin që tek ky derbi sheh të lidhura nostalgjinë e të kaluarës dhe energjinë e transmetuar tek protagonistët e sotëm, tek secili që ka ende kërshërinë për t’u bashkuar në tribunat e Air Albania me turma të ngjashmish për nga ngjyrat, koreografitë apo koret.
Derbi i kryeqytetit është shumë më tepër se një duel futbollistik. Harrojini emrat që do të zbresin në fushën e lojës, bilancin e ndeshjeve direkte, numrat e trofeve të fituara, pozicionin që secila skuadër ka në tabelën e renditjes apo diferencën e pikëve, sepse ndeshja e fundit për këtë vit kalendarik, do të jetë sërish si një finale dhe një tjetër trofe i shtuar në palmaresin e fituesit.
Mbrëmjen e së enjtes kryeqyteti do të jetë nën pushtetin e dimrit dhe temperaturave të ulëta, por njëkohësisht do të ketë mundësinë speciale të gjejë në Air Albania një strehë pasioni, feste dhe emocionesh, të cilat Partizani- Tirana janë të gatshëm për t’i dhuruar. Një hapësirë gjigande, që do të mirëpresë në tribuna mijëra tifozë të apasionuar, që përveç përjetimit të 90 minutave të ndeshjes do të mund të fiksojnë gjithçka me foto e video për të pushtuar rrjetet e tyre sociale me sfond derbin e madh të futbollit toë.
E sigurt, se janë maxhorancë ata që historinë e derbit e kanë të lidhur me emra te përveçëm, rezultate befasuese dhe gola spektakolarë, por historia do të vijojë të shkruhet nga të tjerë protagonistë, trajnerë ekspertë dhe të rinj frymëzues, të gatshëm të sakrifikojnë për të respektuar besnikërinë për ngjyrat dhe përkatësinë, si dhe të fitojnë zemrat dhe admirimin e tifozëve, edhe sepse gjithkush e ka të ngulitur në kokë se nje fitore në derbi është trofeu më i lakmuar.