Pep Guardiola beson se lojtarët e Premier Ligës duhet të organizojnë një grevë nëse duan që të arrijnë të marrin atë që kërkojnë në lidhje me situatën e vështirë me virusin në Angli.
Trajneri i Sitit tha se shqetësimet e shëndetit të futbollistëve janë më të rëndësishme sesa kalendari i ngjeshur festiv i Premier Ligës, e cila ka vendosur të mos i shtyjë ndeshjet në bllok, por vetëm në raste specifike.
Sipas trajnerit të kampionëve të Anglisë thirrjet e tyre mund të dëgjohen vetëm në një mënyrë: “Duhet të bëhen bashkë të gjithë lojtarët dhe trajnerët dhe bëjnë një grevë. Sepse përmes diskutimit kjo nuk ka për t’u zgjidhur.”
“Por unë nuk mendoj se do të ketë një grevë, sepse ne duam që të luajmë. Por kur njerëzit kërkojnë më shumë kompeticione, më shumë ndeshje dhe më pak pushime, kjo ka bërë që ne t‘i kemi luajtur 2-3 ndeshje pa lojtarë këtë sezon.”
“Kundër Totenhemit dhe Lestërit në Superkupë unë nuk kisha një skuadër. Kishim vetëm 10 lojtarë. A është kjo konkurrencë e ndershme? Jo. Por lojtarët kishin nevojë për pushime për 2-3 javë”.
Katalanasi konfirmoi edhe marrëveshjen e shitjes së Ferran Torresit te Barcelona në janar dhe Siti nuk do ta zëvendësojë spanjollin: “Kur Barcelona apo Reali i Madridit trokasin në derën e lojtarëve atëherë është e vështirë t’u thuash jo.”
“Ata janë ende skuadra më e bukur në botë sa i përket stilit, modës, qytetit dhe shumë arsyeve të tjera. Ferran është spanjoll. Barça trokiti dhe unë e kuptoj pse ai donte të ikte. Kur trokiti në derën time dhe tha: ‘Dua të largohem’ dhe unë i thashë: ‘Shko!’".