Trajneri i Aston Villas dhe legjenda e Liverpoolit Steven Gerrard ka treguar se e ka përcjellë progresin e yllit anglez Mason Mount, duke shtuar se është admirues i madh i mesfushorit të Chelseat dhe të Anglisë.
Mount ka qenë ndër lojtarët kyç të Chelseat përgjatë tre sezoneve të fundit, duke bërë 130 paraqitje për “Blutë” e Londrës dhe duke i ndihmuar drejt triumfit në Ligën e Kampionëve.
22 vjeçari e filloi këtë sezon në mënyrë jo të mirë, ku kishte kaluar 15 ndeshje për klub dhe Kombëtaren e Anglisë pa shënuar gol, por një hat-trick i realizuar kundër Norwich bëri që Mount të vazhdojë me gola kundër skuadrave si Watford, West Ham, Leeds United dhe Everton.
Mount do të synojë të vazhdojë formën e tij të mirë nesër, ku Chelsea udhëton drejt qytetit të Birmingham për tu përballur me Aston Villan, ndërsa trajneri i kësaj të fundit Steven Gerrard është i vëmendshëm për rrezikun që paraqet Mount kundër skuadrës së tij.
“E kam përcjellë progresin e tij, sigurisht që kam. Ai është një talent i madh për kombëtaren. Jam admirues i madh i Mount. Ai luan me buzëqeshje në fytyrën e tij. Ai krijon raste, mund të shënojë dhe veçse është fitues i Ligës së Kampionëve, kështu që nuk besoj se atij i duhen lëvdata nga un”, tha Gerrard.
“Por më duhet ta them që jam admirues i madh i tij. Vetëm shpresoj që këtë vikend ai të mos ketë paraqitje të mirë”, shtoi trajneri i Aston Villas.
Në ndeshjen e nesërme, Aston Villa hynë në pozitën e 10 në tabelë, ku pas 17 ndeshjeve ka regjistruar shtatë fitore, një barazim dhe nëntë humbje, kështu duke arkëtuar vetëm 22 pikë.