Premier League është një nga ligat që është goditur më së forti së fundmi nga virusi Covid-19.
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka komentuar rritjen e rasteve nëpër botë, por specifikisht edhe në Britani të Madhe.
Spanjolli e sheh si të çuditshëm faktin se si në këtë valë të madhe të pandemisë, njerëzit nuk vendosin maskat e tyre mbrojtëse kur shkojnë në stadium, apo kur dalin për blerje.
“Rritja e rasteve është në gjithë botën, jo vetëm në Britani të Madhe dhe futboll. Këta njerëz vijnë në stadium dhe në stadiume mund të infektojnë të tjerët, dhe pastaj, në stadiume, njerëzit nuk përdorin maska. Kjo është çfarë më befason më shumë”, ka thënë Guardiola.
“Fakti që ti del në rrugë, shkon në dyqane, shkon në vende për të bërë dhurata për familjen dhe askush nuk vendos maskë (kjo më befason)”, shtoi spanjolli.
Premier League ka parë disa ndeshje të shtyhen si pasojë e përhapjes së virusit nëpër skuadra. Manchester City deri më tani ka luajtur të gjitha ndeshjet sipas orarit.