Belgjika është prej vitesh një nga kombëtaret më të forta në planet, por skuadra e Roberto Martinez nuk po arrin të fitojë trofe. Rrugëtimi në Euro 2020 u ndal pas humbjes 2-1 me Italinë në çerekfinale, teksa aventura në Nations League mori fund në gjysmëfinale.
“Djajtë e Kuq” e mbyllën pjesën e parë kundër Francës në avantazh të dyfishtë, por kampionët në fuqi të botës përmbysën rezultatin në fraksionin e dytë të takimit, triumfuan 3-2 dhe fituan turneun pas suksesit në finale ndaj Spanjës.
Belgjika kryeson renditjen për kombëtare të FIFA-s, teksa trajneri spanjoll foli për Eleven Sports rreth pengjeve dhe objektivit të madh në Katar, aty ku do tentojë suksesin e madhe me djemtë e tij.
“Pas eliminimit nga Italia në Euro 2020, unë isha shumë i zhgënjyer dhe i mërzitur për lojtarët e mi. Ishte e vështirë ta pranoja atë humbje, ndërsa në Nations League u zemërova edhe më shumë.
Luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë, por i dhuruam Francës pjesën e dytë të ndeshjes. Tani kemi synime të qarta dhe 12 muaj kohë për të korrigjuar gabimet e pjesës së dytë me Francën.
Hoqëm dorë nga loja për fitore, në pjesën e dytë tentuam vetëm të mos mposhteshim, diçka që thjesht nuk dimë ta bëjmë. Nëse ia dalim të fitojmë Botërorin e Katarit, do të ishte mirë të vazhdonim së bashku deri në vitin 2026”, deklaroi trajneri i Belgjikës.