Chelsea rikthehet te fitorja!

Futboll

Chelsea rikthehet te fitorja!

Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 23:13
Chelsea rikthehet te fitorja!

Romelu Lukaku rigjen formën optimale ndërsa Chelsea rikthehet te fitorja pas dy barazimesh radhazi në Premier League.

Sulmuesi belg hyri në fushë në pjesën e dytë në transfertën ndaj Aston Villas duke shënuar golin e avantazhit 1-2 dhe duke fituar një penallti në fund e shndërruar në gol nga Jorginho me skuadrën e Tuchel që triumfoi 1-3 në një transfertë të vështirë, fitore që i barazoi londinezët përkohësisht me Liverpoolin në renditje në kuotën e 41 pikëve.

Edhe pse pa trajnerin Steven Gerrard që rezultoi me Covid një ditë para ndeshjes dhe e ndoqi sfidën nga shtëpia, Aston Villa e nisi mirë sfidën dhe në minutën e 28-të e pa veten në avantazh pas autogolit të James.

Por 6 minuta më vonë, Chelsea barazoi me një penallti të kthyer në gol nga Jorginho.

Në fraksionin e dytë u fut në fushë edhe Lukaku që rikthehej pasi ishte shëruar nga Covid-19 dhe belgu gjeti golin me Chelsean pas 3 muajsh e gjysmë në kampionat duke realizuar me kokë në minutën e 56-të pas krosimit të Hudson-Odoi. 2 golat e fundit të Lukakut në Premier League datonin në 11 shtator ndaj Aston Villas dhe mesa duket skuadra nga Birninghami i sjell fat Lukakut që u zhbllokua pikërisht në këtë sfidë.

Në fund pas një shpërthimi të Lukakut Chelsea fitoi një tjetër 11-metërsh të cilën Jorginho e realizoi sërish duke fiksuar fitoren 1-3 të skuadrës së Thomas Tuchel në transfertën delikate të Villa Park.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat