Arbnor Morina e Fadil Berisha, ish futbollistë të gjeneratës së artë të Prishtinës, kur garonte në ligën e parë ish jugosllave, tani së bashku drejtojnë klubin e futbollit Ferizaj.
Morina që nga java e pestë u emërua kryetrajner, ndërsa dje iu bashku edhe ish bashkëlojtari i tij (në kohërat e arta) Fadil Berisha.
“Klubi ynë e ka kompletuar stafin e trajnerit, Arbnor Morina duke emëruar ndihmëstrajner, Fadil Berishën”, ka njoftuar Ferizaj.
Morina dhe Berisha, si sot mbahen mend nga gjeneratat e vjetra, si futbollistë të dëshmuar, mbrojtës të nivelit elit.
Morina ka qenë titullar me Prishtinën (40 mijë shikues) kur e mposhtën me 1:0 Partizanin e Beogradit në pranverën e vitit 1985. Ndërsa Fadil Berisha ka qenë standard në vjeshtën e vitit 1986 kur si vendas u ndanë baras (0:0) kundër Partizanit, që në radhët e tyre paraqitej Fadil Vokrri.
Të veçantit në krye të Ferizajt dhe që ishin edhe pjesë e pavarësimit të futbollit të Kosovës në muajin gusht e të vapës përvëluese të vitit 1991.
Me 10 gusht Prishtina e zhvilloi ndeshjen e fundit në Shkup kundër Ballkan Stokokomercit, duke fituar me rezultat 2:1 (java e parë e ligës së dytë ish Yu) me golat Ergin Ajdinoviqit. Ndeshjet e radhës në Prijedor nuk e luajtën me Rudarin dhe pastaj nuk e priten Mogrenin e Budvës.
Tërmet se jo mahi ndodhi në teshatoren e Prishtinës, futbollistët shqiptarë me përjashtim të njërit, asnjë nuk pranoi të firmosë që të luajnë nën masat e dhunshme të regjimit serb.
Morina si kapiten i fundit i Prishtinës në ligën e dytë ish jugosllave, refuzoi të firmoste, Berisha u tregua edhe më i ashpër, ua ktheu prapanicën duke u tallur me shërbimin serb. Pastaj këta me shokë u dëbuan nga stadiumi, vazhduan të luanin në fusha të improvizuara për Prishtinën, po asht edhe pas luftës një periudhë.
Si njëri edhe tjetri, si trajner kanë qenë në KF Prishtina në vitet e pasluftës.
Morina kryetrajner e Berisha ndihmëstrajner.
Tash së bashku drejtojnë anijen e Ferizajt për ta rikthye në elitë.
Dy emra të mëdhenj erdhën në klub duke iu falënderuar edhe Lulzim Abazit, president klubi, i cili me stafin e tij ka krijuar kushte fenomenale dhe nga shembja apo shuarja, Ferizajn e ka këndellur dhe tani janë kandidat numër një për t’u rikthyer në elitë. Ferizaj është në vend të dytë me 25 pikë, ka një me pak se Vushtrria në Ligën e Parë të Kosovës, grupi B.
Abazi me Morinën e Berishën, janë të vendosur, që Ferizajn ta rikthejnë në nivelin ku e ka vendin, në shoqërinë e më të mirëve. Ferizaj i ka të gjitha parakushtet duke iu falënderuar edhe punës së madhe që bën kryesia me Lulzim Abazin.