Duhej të ishte shansi i artë i karrierës së tij, por Kaleb Ekuban duket se nuk ka arritur ta shfrytëzojë siç duhet. Ish-sulmuesi i Partizanit, pas vetëm 6 muajsh, është pranë largimit të tij nga elita e futbollit italian, ku vesh aktualisht fanellën e Xhenoas.
Mediat italiane bëjnë të ditur se lojtari nuk bën pjesë në planet e Shevçenkos për të ardhmen dhe kështu, do të duhet të gjejë një sistemim të ri. Parashikohet që gjatë janarit, Ekuban të ndryshojë ambient dhe të kthehet në kampionatin ku u bë një emër i njohur, atë turk.
Sipas “La Repubblica”, skuadra e Beshiktash ka kërkuar informacione për futbollistin dhe e sheh si përforcim të mundshëm për vijimin e sezonit dhe në vazhdim.
Edhe Ekuban nuk do të ishte kundër lëvizjes në këtë pikë, duke llogaritur se hapësirat për të në Serinë A tashmë janë minimale, edhe pse bëhet fjalë për një klub i cili lufton për mbijetesë.