Gjigandi katalunas Barcelona ka bërë sot prezantimin e transferimit më të ri Ferran Torres.
Për një shumë afro 55 milionë euro plus 10 milionë të tjera në formë të bonuseve, “Blaugranët” transferuan Torres nga kampioni anglez Manchester City.
Prezantimi i yllit spanjoll u bë në stadiumin “Camp Nou”, ku prezent ishin më shumë se 13,000 tifozë katalunas.
Gjatë këtij prezantimi, presidenti i Barcelonës nuk e fshehu gëzimin që klubi i tij ka transferuar yllin e Manchester Cityt, ku edhe foli për dëshirën e vet-lojtarit për t’iu bashkuar Barçës.
“Nënshkrimi me Ferran Torres është një transferim i mrekullueshëm. Ferran ka treguar dëshirë të madhe për të na u bashkuar. Ka qenë një objektiv i qartë për ne. Më pëlqeu dëshira e tij për të ardhur te Barça. Ai është shumë i ri, por që tani ai ka një karrierë të rëndësishme”, tha Laporta.
“Ne jemi duke e ndërtuar një skuadër me lojtarë tejet të rinj, të cilët veçse kanë një të tashme të madhe dhe një të ardhme të mrekullueshme. Jam i sigurt që me lojtarë si Ferran Torres do të ngjitemi drejt majave”, shtoi presidenti i Barcelonës.