Remi Dujardin është lojtari i radhës që largohet nga Egnatia. Shtatë lojtarë kanë ndërprerë bashkëpunimin me klubin nga Rrogozhina, teksa afrimi i vetëm deri tani është portieri Klevis Hasanbelli.
“Faleminderit Remi Djuardin. KF Egnatia njofton se ka shkëputur marrëveshjen me mesfushorin Remi Djuardin. Klubi falenderon lojtarin për kontributin e dhënë me fanellën e Egnatias”, shkruan klubi i Abissnet Superiores.
24-vjeçari nga Hong Kongu, i cili luan edhe si qendërmbrojtës përveçse si mesfushor shkatërrues, u bë pjesë e Egnatias verën e vitit që lamë pas, teksa në sezonin 2020/2021 ishte pjesë e Skënderbeut.
Egnatia e mbylli vitin 2021 me fitoren 1-2 kundër Teutës kampione. Skuadra e Zekerija Ramadanit renditet e parafundit me 14 pikë dhe ka si objektiv qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.