Trajneri i Chelseas, Thomas Tuchel ka konfirmuar se tani çdo gjë është në rregull me sulmuesin Romelu Lukaku.
Javën e kaluar, belgu në një intervistë për “Sky Italia” bëri me dije se është pishman për rikthimin te Chelsea dhe që ëndërron të luaj sërish për Interin.
Kësisoj, Tuchel nuk e ftoi në vikend për ndeshjen ndaj Liverpool, ndërsa dje ka biseduar me lojtarin duke shqyrtuar të gjitha problemet.
“Jemi të lumtur që mori kohën që i duhej për të biseduar qetë për atë. Kjo është ajo që bëmë. Ai kërkoi falje dhe është rikthyer në skuadër për stërvitjen e sotme. Gjëja më e rëndësishme për mua ishte të kuptoj që nuk ishte e qëllimshme”.
“Kjo nuk është aq e madhe sa njerëzit duan që të jetë, nuk është e vogël, por ne mund të qëndrojmë të qetë dhe pranuam faljen e tij”, tha ai në konferencë për shtyp.
Ndërkohë, Chelsean nesër e pret një sfidë jo e lehtë ndaj Tottenhamit për gjysmëfinalen e “Carabao Cup”.