Shkëndija e Tetovës përforcohet me një lojtar mjaft cilësor në mbrojtje.
Klubi kuqezi ka siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë, Mihail Manevski, i culi ka firmosur për një vit e gjysmë, me mundësi vazhdimi edhe për 2 vite tjera.
Mihail Manevski, 22-vjeç, së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës së Bregallnicës nga Shtipi, ndërsa paraprakisht për dy sezone ka luajtur edhe në ekipin e Akademija Pandevit.
Në gjysmësezonin e parë Manevski ka zbritur në fushë në të gjitha ndeshjet e kampionatit (18), duke dhënë 6 asiste për gol, ndërsa në të kaluarën ka qenë lojtar standard në përfaqësuesen U-21 të Maqedonisë së Veriut.
“E prita me kënaqësi momentin e nënshkrimit të kontratës me Shkëndijën. Ishte dëshira dhe insistimi im që të jem pjesë e Shkëndijës, për shkak se Shkëndija është një skuadër e cila vazhdimisht e dominon kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Është skuadra më e mirë në vendin tonë në dekadën e fundit, prandaj kjo do të jetë një sfidë e madhe për mua.
Ashtu siç kam dëgjuar, Shkëndija krijon një skuadër të re që kërkon të jetë kompetitive dhe të shënojë suksese në garat evropiane, ndaj u jam falënderues të gjithë atyre që ma dhanë këtë mundësi. Jam lojtar që gjithmonë e jap maksimumin nga vetja dhe besoj se me lojërat e mira do ta arsyetoj angazhimin tim në Shkëndijë”, – deklaroi Manevski pas nënshkrimit të kontratës për faqen e Shkëndijës.