Mbështetja e FSHF për futbollin e moshave

Futboll

Mbështetja e FSHF për futbollin e moshave

Më: 5 janar 2022 Në ora: 13:47
Mbështetja e FSHF për futbollin e moshave

Infrastruktura e futbollit shqiptar në shumë qytete të vendit po merr një pamje tjetër falë punës dhe ndërhyrjeve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në morinë e një sërë investimesh që po kryhen së fundmi nga FSHF-ja, ka qenë radha e akademisë së klubit të Bylisit që ka përfituar një ndryshim rrënjësor sa i përket infrastrukturës dhe që do të ndihmojë futbollin e moshave në qytetin e Ballshit.

Nga ndërhyrjet që vijojnë të kryhen përmes mbështetjes së FSHF-së ka përfituar aneksi i stadiumit të Ballshit, ku aktualisht stërviten ekipet e akademisë së Bylisit, ku është bërë një rikonstruksion i plotë në të gjitha aspektet, duke i dhënë mundësinë kështu futbollistëve të rinj që të kenë kushte më të mira për t’u stërvitur.

Nga dhomat e zhveshjeve, që tashmë kanë kushte mjaft të mira dhe cilësore, te dushet, dhomat e zyrtarëve, dhoma e mjekëve si dhe disa ambiente kryesore që krijojnë kushte të përshtatshme për video-analistit e klubit dhe akademive, një profesion i ri që po merr një zhvillim të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri. Edhe ambientet e tjera përreth janë sistemuar, duke krijuar kështu një aneks stërvitor me një pamje komplet tjetër.

Të gjitha këto investime bëhen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të FSHF-së për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e klubeve në forcimin e ekipeve të moshave, duke përmirësuar mjediset ku punojnë dhe stërviten fëmijët e të rinjtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat