Nuk mjafton vetëm pagesa e klauzolës!

Futboll

Nuk mjafton vetëm pagesa e klauzolës!

Më: 5 janar 2022 Në ora: 15:57
Nuk mjafton vetëm pagesa e klauzolës!

Erling Haaland nuk është aq i lirë sa çmund të mendohet. Sulmuesi që është nën kontratë me Borusian e Dortmundit, mund të lirohet me një klauzolë prej 75 milionë eurosh. E lehtë vetëm në dukje, pasi siç shpjegon L’Equipe, duhen plot 300 milionë euro, përfshirë këtu dhe komisionet për agjentin Raiola dhe për të atin e futbollistit, për të marrë norvegjezin.

Në këtë mënyrë janë vërtetë të pakta klubet që mund t’i lejojnë vetes bomberin që në 16 prezenca këtë sezon, ka shënuar 19 gola duke dhënë edhe 5 asiste. Borusia e Dortmundit, klub me të cilin ka një kontratë deri në 2024, është gati t’i rrisë pagën deri në 16 milionë euro bruto, katër më shumë se kapiteni Marco Reus.

Haaland do të bëhej kështu lojtari më i paguar në historinë e klubit. Sulmuesi i lindur në Leeds, gjithsesi ka vendosur të largohet, edhe pse nuk e ka zyrtarizuar ende lamtumirën. Pikë së pari i duhet të përfundojë operacionin e largimit, pra të gjejë një blerës.

Nuk është e lehtë, edhe pse klauzola prej 75 milionë eurosh ka tërhequr vëmendjen e të gjithë klubeve të mëdha europiane, duke nisur nga Reali i Madridit, por edhe Manchester United, Barcelona, Chelsea në rast së përfundon raporti me Lukakun, dhe madje dhe PSG, nëse Mbappe në skadencë kontrate ikën drejt Madridit.

Bajerni i Mynihut është tërhequr nga gara: “Nuk mund të ndërmarrim një rrezik të tillë në kohë krize”, bëri të ditur presidenti honorifik Uli Hoenes. Sipas L’Equipe, Haaland kërkon një pagë prej 30 deri në 35 milionë euro në vit, për 6 sezone.

Dhe nuk mbaron këtu, duke qenë se në fund i duhen garantuar 20 milionë euro komision agjentit Raiola, dhe babait Alf-Inge. Të gjitha bëjnë 300 milionë. Shtrenjtë, shumë shtrenjtë, siç e titullon artikullin e saj edhe L’Equipe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat