Tirana e mbylli më së miri vitin 2021 duke fituar derbin ndaj Partizanit me rezultatin 1-2, ndërsa konsolidoi edhe pozitat në krye të renditjes teksa udhëheq garën me pesë pikë avantazh ndaj ndjekësve të Kukësit.
Tashmë, bardheblutë janë duke u përgatitur për të bërë mirë edhe në vitin 2022 ndërsa pretendojnë titullin numër 26.
Ditën e sotme, në kompleksin Skënder Halili, skuadra ka zhvilluar edhe një miqësore brenda familjes teksa ka sfiduar ekipin U19 ku sigurisht vëmendja kryesore ishte te rikthimi i lojtarëve në aktivitet pasi në këto ditë festive iu ka munguar ngarkesa fizike.
Sakaq, ditën e enjte, kryeqytetasit do të zbresin në fushë për seancën stërvitore ndërsa vëmendja shkon te ndeshja e javës së 16-të në kampionat më datë 15 janar ndaj Vllaznisë në Air Albania.
Shqetësim për Tiranën mbetet gjendja e Michael Ngoo, i cili pësoi një dëmtim në gju në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit dhe ende nuk mund të përcaktohet një datë rikthimi për anglezin.