Lajmi i ndarjes nga jeta të presidentit të klubit të Elbasanit, Arben Laze ka prekur çdo pjesëtar të botës së futbollit.
Për këtë tragjedi ka reaguar dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Me anë të një postimi në Facebook, kreu i shtetit shprehu hidhërimin e tij për këtë humbje të sportit shqiptar.
Ai shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe e cilësoi këtë si një humbje të madhe për komunitetin sportiv në vendin tonë. Arben Laze u nda nga jeta në moshën 53 vjeçare dhe i ktheu Elbasanit titullin kampion pas shumë vitesh.
"Ndarja e papritur dhe e parakohshme nga jeta e Arben Lazes, Presidentit të ekipit të Elbasanit, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen e tij, por edhe për komunitetin sportiv në vendin tonë.
Mirënjohje për ndihmesën bujare dhe angazhimin e palodhur të dhënë ndër vite për zhvillimin cilësor të futbollit, veçanërisht për bashkëpunimin e vendosur me qëllim vlerësimin e personaliteteve të shquara sportive të Elbasanit.
Ngushëllimet më të ndjera familjes Laze, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve, ekipit të Elbasanit, si dhe sportdashësve të këtij qyteti, me emër të madh në historinë e futbollit shqiptar!", ka shkruar Meta.