Drenica sot do t’i fillojë përgatitjet për stinorin pranveror, por problemet në këtë klub vazhdojnë të mbesin evidente.
Ende pa e nisur Drenica do të duhet të përballet me tri mungesa të rëndësishme dhe ky numër mund të shtohet në ditët në vijim, pasi klubi ka shumë borxhe ndaj lojtarëve, shkruan Gazeta Olle. Denisson, ylli brazilian i skuadrës që shkëlqeu në vjeshtë me golat dhe asistimet e tij, tashmë ka gjetur skuadër të re.
Ai është duke u stërvitur me Dinamon e Tiranës, që merr pjesën në Kategorinë Superiore.
Edhe mbrojtësi i djathtë Erlis Frashëri është larguar nga Drenica pas më shumë se një viti e gjysmë.
Ai ka kaluar po ashtu në Kategorinë Superiore te Skënderbeu.
Krejt në fund është portieri Mikel Kaloshi, i cili ruajti portën në shumë ndeshje pas lëndimit të Visar Haxhijajt.
Ky i fundit ka filluar stërvitjet me Lushnjën në Ligën e Parë të Shqipërisë.
Drenica do të përballet me probleme edhe në ditët në vijim nëse klubi nuk reagon ndaj borxheve, ku edhe lojtarë të tjerë mund të kërkojnë largimin.