Manchester United ka ofruar ta bëjë Paul Pogba lojtarin më të paguar në historinë e Premier League në një përpjekje për ta mbajtur atë në klub.
Reprezentuesi francez është një nga lojtarët e United, kontrata e të cilit përfundon në verë dhe, siç raportohet nga ‘Sportsmail’, ai deri më tani ka treguar pak dëshirë për të zgjatur qëndrimin e tij në Old Trafford.
Pogba ka qenë i lidhur me një numër të klubeve më të mëdha të Evropës, duke përfshirë ish-klubin Juventus dhe një rikthim në Francë me Paris Saint-Germain. Real Madridi gjithashtu ka qenë i lidhur shumë.
Megjithatë, sipas ‘The Sun’, United po përgatit një ofertë gjigante për ta bindur atë të qëndrojë në “Teatrin e Ëndrrave”.
Ata raportojnë se klubi është i gatshëm t’i ofrojë atij 400,000 £ në javë pagë bazë, me shtesa që mund ta çojnë atë në shifrën e gjysmë milioni. Mendohet të jetë 100,000 £ më shumë se çdo ofertë që ai mund të marrë në kontinent.
Pogba aktualisht lejohet të flasë me klube të tjera jashtë Anglisë për nënshkrimin e një parakontrate, me marrëveshjen aktuale të 28-vjeçarit që ka më pak se gjashtë muaj për të përfunduar.
Ai ende nuk ka luajtur nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick, pasi u përjashtua me një dëmtim të kërdhokullës që mori në detyrën ndërkombëtare në tetor.
Pogba nuk është i vetmi lojtar i United që shikon opsionet e tij këtë muaj, me jo më pak se shtatëmbëdhjetë anëtarë të skuadrës së parë të Rangnick që thuhet se janë të pakënaqur.