Sot finalja e madhe e Arena Cup

Futboll

Sot finalja e madhe e Arena Cup

Më: 8 janar 2022 Në ora: 12:25
Sot finalja e madhe e Arena Cup

Sot (e shtunë) në mbrëmje është caktuar ndeshja finale e këtij viti në turneun e parë në futboll të vogël Arena Cup, në të cilën do të takohen Salo Boden (Opajë) dhe Caffe Kushtrimi (Sllupçan), shkruan gazetari Reshat Ibraimi.

Ndeshja finale luhet në ora 20:00 në stadiumin “Arena Sport” në fshatin Hotël të komunës së Likovës.

Ndeshja, e cila pritet të luhet në prani të tifozëve të shumtë, do të gjykohet nga arbitrat me amblemën e FFM-së, Nderim Tefiku dhe Valton Maliqi.

Lojtarët e Salo Boden u kualifikuan për në finale pas fitores tenistike kundër KF Usejdi me rezultatin 6-2, kurse Kafe Kushtrimi arriti në finale me fitoren kundër Gipspunuesi Zimberi me rezultatin 4-3 në penallti (në kohën e rregullt ndeshja përfundoi me barazim 2-2).

Për ekipin simpatik Salo Boden, që drejtohet nga menaxheri Sevdail Neziri, kualifikimi në finalen e madhe paraqet një sukses të jashtëzakonshëm dhe se ëndrra për të ngadhënjyer në turne ende vazhdon.
Menaxheri Neziri shpreson se lojtarët e tij do t’ia realizojnë dëshirën e madhe, edhe pse do ta kenë shumë të vështirë, pasi përballë do të kenë një ekip të përbërë me lojtarë cilësorë.

Në pushimin mes dy pjesëve do të ketë lojë shpërblyese për shikuesit në tribuna, ku do të ndahet fanella e yllit shqiptar të Levantes, Enis Bardhi.

Ndërkohë, para ndeshjes finale, prej orës 19:00 do të zhvillohet një ndeshje miqësore mes veteranëve të KF Bashkimi nga Kumanova dhe veteranëve të Kosovës.

Për veteranët e KF Bashkimi do të paraqiten: Rexhep Ajeti, Erkan Jusuf, Xhemal Zeqiri, Afrim Latifi, Ismet Zeqiri, Muhamer Rrustemi, Nejazi Sulejmani, Jeton Qerimi, Florim Ymeri, Erkan Osmani, Skender Ismaili
dhe Xhelal Ademi.

Ndërsa për ekipin e veteranëve të Kosovës do të luajnë: Suad Keci, Sylejman Selimi, Armend Dallku, Enes Shosholli, Lulëzim Berisha, Avni Shala, Jeton Osmanaj, Burim Dumniku, Muhamet Dragusha, Bekim Nura, Hysni Gjinovci, Jusuf Tortoshi dhe Bujar Guta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat