Tirana ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit, teksa bardheblutë pretendojnë të njëjtën ecuri si në vitin 2021 duke qenë se aktualisht janë në vend të parë në kampionat, ndërsa udhëheqin me 33 pikë kundrejt 28 pikë të ndjekësve më të afërt, Kukësit.
Në kuadër të rifillimit të kampionatit, kryeqytetasit pas një miqësore brenda familjes me të rinjtë e akademisë, sot kanë zhvilluar një test më impenjues.
Në fushën stërvitore të Skënder Halilit në orën 14:00, Bylis nga Kategoria e Parë sfidoi të besuarit e trajnerit Orges Shehi. Megjithatë, tekniku i bardhebluve mori përgjigje pozitive nga grupi i futbollistëve të tij duke qenë se ata triumfuan me rezultatin 4-2.
Golat për Tiranën u shënuan nga Danso, Gjumsi, i zakonshmi Seferi dhe Beshiraj. Tashmë, bardheblutë do të futen në javën e kampionatit teksa më datë 15 janar kanë një sfidë të drejtpërdrejtë me një rivale për titull si Vllaznia, ndërsa pesha e kësaj ndeshje merr edhe një rëndësi të veçantë duke qenë se bëhet fjalë për të ashtuquajturën derbi i Shqipërisë.