Një eurogol i Rafa Mir i mjaftoi Sevillas për të fituar 1-0 kundër Getafes. Ekipi i Julian Lopeteguit po zhvillon një kampionat fantastik dhe po garon me Real Madrid për titullin kampion.
Minuta e 22-të, veprim i bukur në krahun e djathtë nga ana e Lucas Ocampos dhe gol me finte i Rafa Mir. Tifozët e pranishëm në “Sanchez Pizjuan” në festë dhe rrjeta e gjashtë sezonale në kampionat për golashënuesin më të mirë të Sevillas.
24-vjeçari gjeti rrugën e rrjetës edhe në minutën e dhjetë, por goli u anulua për pozicion të parregullt. Rafa Mir iu anulua një tjetër gol në minutën e 49-të (pozicion i parregullt), teksa e njëjta gjë ndodhi dhe me Matën e Getafes (43’).
Papu Gomez dhe Ivan Rakitic iu afruan golit të dytë në pjesën e dytë, por takimi nuk prodhoi më gola.
Sevilla mban vendin e dytë në renditje, me pesë pikë dhe një ndeshje më pak se Reali kryesues.