Kupa e Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19, aktiviteti i dytë më i rëndësishëm pas kampionatit ka ngritur siparin që prej 7 janarit, me gjashtë ekipe për secilën grupmoshë që kanë siguruar kualifikimin për në çerekfinale deri sot.
Këtë të diel janë zhvilluar edhe katër sfidat e radhës për këtë kompeticion, teksa në grupmoshën U-17 kanë kaluar Tirana dhe Internacionali. Bardheblutë morën një fitore të pastër me shifrat 3-0 në ndeshjen ndaj Skënderbeut, ndërsa në përballjen Internacional Tirana – Flamurtari, këta të fundit nuk ia dolën të vazhdojnë më tej garën pasi u mundën me rezultatin 2-0.
Tirana U-17 – Skënderbeu U-17 3:0
Internacional Tirana U-17 – Flamurtari U-17 2:0
Ndërkaq, në sfidat e tjera të nën 19-vjeçarëve janë dy ekipe të tjera kryeqytetase që sigurojnë biletat për në çerekfinale, përkatësisht Partizani dhe Tirana. Të kuqtë arritën të fitonin bindshëm përballë Flamurtarit, në një ndeshje që prodhoi 5 gola, 4 prej të cilëve i shënuan kryeqytetasit ndërsa vlonjatët shënuan të vetmin gol nderi në minutën e 14-të, që do t’i sillte barazimin e përkohshëm. Në sfidën tjetër mes Tiranës dhe Skënderbeut, kësaj radhe për moshën U-19, bardheblutë fituan me poker ndaj korçarëve, të cilët nuk do të vazhdojnë më tej.
Partizani U-19 – Flamurtari U-19 4:1
Tirana U-19 – Skënderbeu U-19 4:0
Ditën e hënë do të luhen edhe katër ndeshjet e fundit për secilën grupmoshë, ku do të përcaktohen edhe katër çerekfinalistët e radhës për Kupën e Shqipërisë U-17 dhe U-19.