Mbrëmjes e së mërkurës, në orën 21:00 në San Siro e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar te derbi i Italisë mes Inter dhe Juventus, që këtë herë do të vihet në skenë në kuadër të finales së Superkupës.
Një trofe të cilin të dyja ekipet e dëshirojnë, teksa para kësaj sfide, trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi ka theksuar se të tijtë duhet të tregohen agresivë në fushë ndërsa shton se Juventus është mësuar me faktin e të luajturit ndeshje finale.
“Është një ndeshje finale dhe këto lloj sfidash nuk kanë favoritë. Juventusi ka lënë pikë në tetë ndeshje, por ndaj Romës bënë një përmbysje të jashtëzakonshme. Juventus është mësuar të luajë finale, kanë në organikë lojtarë me shumë eksperiencë, por edhe ne jemi në një formë të shkëlqyer. Do të provojmë të vendosim në punë të gjithë armët tona, shpresojmë edhe që tifozët të marrin atë që presin nga ne.
Episodet kyçe dhe motivimi do të jenë thelbësore në këtë sfidë. Do të na duhet të luajmë një ndeshje agresive, vendosmëri dhe intensitet duke e ditur se përballë kemi një ekip të shkëlqyer të mësuar me këto sfida. Do të ketë momente ku ata do të na vendsoin në vështirësi, por duhet të dimë të dalim nga këto situata. Unë nuk kam asnjë frikë, ne jemi kryesuesit e kampionatit.
Në fillim dukej se favorite për titull do të ishte Juventus, por edhe skuadra të tjera. Shikojeni se ku janë ato tani. Nga atmosfera në do të jemi shumë të motivuar, jam me fat që i kam sulmuesit në formë. Ekipi im do të japë 120% në fushë”, përfundoi Inzaghi.