Kieran Trippier ishte goditja e parë Newcastle në merkato, që prej blerjes së klubit nga fondi saudit PIF, megjithatë mbrojtësi anglez është vetëm i pari, pasi po brenda janarit synohen të tjera goditje.
Burime pranë drejtuesve të Magpies, konfirmojnë se janë vënë në dispozicion plot 50 milionë euro, për të afruar një bomber që në muajin janar, me emrat kandidatë që janë të shumtë dhe listën që kryesohet nga çeku i Bayer Leverkusen, Patrick Schick.
Krahas futbollistit të “aspirinave”, po shqyrtohen edhe emra si Divock Origi, që nuk luan shumë te Liverpool, iraniani Azmoun, që është në muajt e fundit të kontratës me rusët e Zenitit dhe Dominick Solanke, që aktualisht është pjesë e Bournemouth.
Firma me Trippier, jo vetëm që ka shtuar cilësinë në repartin e prapavijës, por ka rritur ndjeshëm edhe besimin ndaj pronarëve të rinj të klubit, gjë që e bën më të lehtë afrimin e të tjerë futbollistëve të njohur.
Pasi ka luajtur gjysmën e sezonit, Newcastle ka grumbulluar vetëm 11 pikë dhe pozicionohet i parafundit në renditje, ndërsa drejtuesit i kanë premtuar trajnerit Howe afrimin e të paktën tre futbollistëve në janar, nga një për repart, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa.