Tek Atletico Madrid po mendojnë edhe për sezonin e ardhshëm. Manchester City është një nga klubet e interesuara për Joao Felix, i cili nuk po arrin të justifikojë 127 milionë eurot që “Colchoneros” paguan te Benfica për të në verën e vitit 2019.
22-vjeçari portugez pëlqehet në Premier League, Pep Guardiola e do tek ekipi i tij dhe drejtuesit e kampionëve të Spanjës janë dakord ta shesin në fund të sezonit për shumën e 70 milionë eurove.
Paratë e fituara do të investoheshin menjëherë për një tjetër sulmues dhe një tjetër lojtar të Benfica. I përzgjedhuri i Atleticos është Darwin Nunez, sulmuesi 22-vjeçar, i cili kryeson renditjen e golashënuesve në kampionatin portugez me 13 realizime.
Lojtari uruguaian (6 ndeshje dhe 2 gola me dy herë kampionët e botës) ka oferta të shumta, por Atletico Madrid e ka seriozisht dhe është gati të plotësojë kërkesat e klubit portugez për ta rikthyer në La Liga, aty ku sulmuesi ka veshur fanellën e Almerias më parë.