Skuadra e Llapit nga Podujeva, stërvitet në temperatura polare për pjesën e dytë të kampionatit.
Fituesi i Kupës së Kosovës, i ka objektivat e qarta, lufton për të gjitha trofetë. Atmosfera është shumë e mirë në kolektivin llapjan, ndërsa kryetrajneri Tahir Batatina punon me përkushtim.
“Ekipi ynë tash e tre ditë me radhë ka rritur intensitetin e stërvitje duke u përgatitur nga dy herë në ditë. Ekipi po punon në dy grupe të ndara. Njëri grup stërvitjen e mëngjesit po e kryen në fitnesin "Iron Gym" në Podujevë kurse tjetri grup në "Fitness Nartel" në Prishtinë.
Stërvitjen e pasdites, njëri grup po e mban në "Parkun e Paqes" në Podujevë kurse tjetri grup në "Parkun e Gërmisë".
Ritmi i stërvitjeve po rritet gradualisht dhe tashmë ekipi mund të themi se ka hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve aerobike, e cila është fazë e domosdoshme për përgatitjen fizike.
Të shtunën, ekipi do rikthehet në fushën sintetike në Dumosh për të punuar deri të martën, kurse të mërkuren do të lihet ditë e lirë, pasi të enjten në orët e para të mëngjesit ekipi do të udhëtoj drejt Antalyas për të kryer fazën përgatitore prej 13 ditësh para fillimit të edicionit pranveror”, njofton KF Llapi.