Vdes kroati që nën ndikimin e alkoolit i kishte shënuar dy gola kundër Cërvena Zvezdës  

Futboll

Vdes kroati që nën ndikimin e alkoolit i kishte shënuar dy gola kundër Cërvena Zvezdës  

Nga: K.G. Më: 13 janar 2022 Në ora: 20:17
Stjepan Lamza

Është ndarë nga jeta të mërkurën në moshën 82-vjeçare, kroati Stjepan Lamza, një nga futbollistët më të mirë në historinë e Dinamos së Zagrebit.

Lamza u paraqit për të kaltrit nga viti 1960 deri në vitin 1967, ai është më meritori që zagrebasit fituan Kupën e Qyteteve, ndërsa ish-shoku i tij të skuadra e Dinamos, Rudi Belin, ka treguar një moment interesant të viteve të 60-ta.

“Ai një herë ishte aq i dehur sa nuk e dinte as me kë po luante", ka deklaruar para një kohe, Belin.

“Ne ishim duke qëndruar në tunel, duke u përgatitur për të dalë jashtë. U përpoqa të përqendrohesha te lojtari që duhej të ruaja kur Lamza mu afrua dhe më pyeti: ‘Shoku, kur do të luajmë dhe kundër kujt?"

Kundërshtari atë ditë nuk ishte askush tjetër veç Cërvena Zvezdës dhe luajtëm në ‘Marakana’ para 100 mijë njerëzve. Lamza shënoi dy gola dhe i kërkoi trajnerit që ta nxirrte jashtë në pjesën e parë”, tregon Belin.

Vetë Lamza i është referuar dikur fjalëve të Belinit në një intervistë për portalin “4-4-2” dhe ka kujtuar atë ndeshje.

“Nuk jam i sigurt nëse unë dhe Belin po flasim për të njëjtën ndeshje, por një herë i dhashë dy gola Zvezdës dhe kërkova të dilja. Thjesht mendova se duhet të luante edhe dikush tjetër. Pse të kaloj të gjitha 90 minutat në fushë”, kishte thënë Lamza.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat