Ramadani me dy rikthime

Futboll

Ramadani me dy rikthime

Më: 16 janar 2022 Në ora: 12:23
Ramadani me dy rikthime

Partizani vijon me ritëm të plotë përgatitjet për ndeshjen e sotme në orën 13:45 në transfertë ndaj Egnatias, e para përballje zyrtare për këtë vit kalendarik.

Stërvitja e djeshme ishte e gjitha taktike dhe e dedikuar për ndeshjen ndaj rrogozhinasve, e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore.

Para zbritjes në fushën e lojës, Mehmeti, i asistuar nga ndihmësi i tij, Fatjon Tafaj, kanë kryer videoanalizën e sfidës, ku kanë studiuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla.

Më pas, stafi dhe ekipi u zhvendosën në terren, kur në orën 10:00 lojtarët dhe stafi teknik zbritën në fushën e lojës. Gjithçka nisi me një nxehmje jo shumë intensive, siç Sakone është mësuar t’i bëjë e më pas skuadra nuk e lëshoi topin nga këmbët.

Trajneri Mehmeti i vendosi ata në dy rreshta dhe i organizoi një lojë, e cila ndihmonte zhvillimin e reflekseve te të gjithë. Pas kësaj, ekipi u nga në disa grupe për të luajtur në kuadrate, që si gjithmonë ishte një lojë, e cila prodhoi entuziazëm dhe ilaritet. Në vijim vëmendja ishte te vendosja e nesërme.

Trajneri e ndau skuadrën në dy ekipe, titullarët dhe rezervat, dhe u testuan disa module, teksa nesër pritet që rreshtimi të jetë me katër mbrojtës.

Interesant ishte fakti që faza e sulmit u duk të funksiononte shumë mirë, me lojtarët, që u shfaqën të saktë në finalizim.

Stërvitjen nga lart, te kafja e kompleksit e ndoqën edhe drejtori teknik, Dritan Dervishi dhe Genc Tomori, drejtori i akademisë së kuqe.

Për t’u veçuar ishte se Dervishi qëndroi vazhdimisht në këmbë dhe bisedoi në shumicën e kohës në telefon, ndërsa Tomori qëndroi qetësisht i ulur dhe shijoi stërvitjen e të kuqve.

Të dy e panë deri në fund seancën dhe më pas iu bashkuan skuadrës në dhomat e zhveshjes. Në orën 11:17 trajneri Mehmeti fërshëlleu për herë të fundit.

Pedro dhe Agbekpornu janë ndoshta dy “blerjet” më të rëndësishme të Egnatias.

Të dy lojtarët kanë qenë shumë të rëndësishëm në fazën e parë të sezonit dhe me dëmtimet e tyre kishin lënë shumë boshllëqe, që ndikuan më pas edhe në rezultatet e ekipit.

Me rikthimin e tyre trajneri Zekirija Ramadani fiton dy “fuqi” më shumë dhe pritet t’i përdorë menjëherë të dy në ndeshjen ndaj Partizanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat