Drejtuesit e Everton kanë vendosur t’i japin fund bashkëpunimit me Rafael Benitez. Trajneri spanjoll ka pasur rezutate shumë negative në këtë sezon dhe vazhdimisht ka qenë në diskutim për të ardhmen e tij në klub.
Megjithatë, 9 humbje në 13 ndeshjet e fundit dhe vendi i 16-të në klasifikim nuk i kanë lënë shumë mundësi zgjedhje klubit anglez. 61-vjeçari u zyrtarizua në krye të Everton në muajin qershor të vitit 2021, ndërsa tashmë duhet të mendojë për një tjetër eksperiencë.
Ndërkaq, drejtuesit e Everton kanë nisur nga puna për pasuesin e teknikut spanjoll dhe i preferuari i tyre është Ëayne Rooney. Legjenda e Manchester United tashmë prej disa viteve ka nisur të ushtrojë profesionin e trajnerit ndërsa aktualisht është në krye të skuadrës së Derby-t në Championship.
Nëse nuk arrihet të nënshkruhet me Rooney atëherë një zgjidhje për Everton do të ishte edhe besimi për zëvendësin e Benitez, Duncan Ferguson.