Është zhvilluar sot në Tiranë takimi me përfaqësues të nivelit të lartë në kuadër të përgatitjeve për organizimin finalen e UEFA Europa Conference League, që do të luhet në stadiumin “Air Albania” më 25 maj 2022.
Delegacioni i UEFA-s i përbërë nga Rémi Decouacon, Thomas Perrot e Denis Bastari i shoqëruar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe përfaqësues të tjerë të Federatës së Futbollit janë pritur sot në takimin e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë nga drejtues të lartë të institucioneve qeverisë qendrore dhe vendore, njofton FSHF percjell Zeri.info.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben si edhe përfaqësues të tjerë nga Kryeministria, Policia e Shtetit dhe Bashkia Tiranë.
Në mbledhje u diskutua për disa çështje duke nisur që nga çështjet e mobilitetit që kanë të bëjnë me finalen e UEFA Europa Conference League në Tiranë, çështje të kapaciteteve akomoduese aeroportuale, kapacitetet e parkimit të fluturimeve çarter, transportin publik në tërësi përfshirë dhe atë Rinas-Tiranë e anasjelltas si dhe çështje të sigurisë.
Nga Presidenti Duka u konfirmua edhe një herë se të gjitha masat që janë duke u marrë synojnë garantimin e një eventi historik dhe për çdo problematikë kërkoi që autoritetet të japin çdo lloj garancie që ky event që nga momenti i parë e deri në largimin e vizitorit të fundit të jetë ekselent në organizim.