Shtyrja e ndeshjes me Arsenalin, i ka djegur jo pak trajnerit të Tottenhamit, Antonio Conte, që në prag të sfidës së prapambetur me Leicesterin, ka shpërthyer ndaj Premier Leagues, duke thënë se kanë marrë vendim të gabuar.
Tekniku Italian akuzon se më shumë sesa për shkak të koronavirusit, Arsenali ka mungesa për shkak dëmtimesh dhe pjesëmarrje të lojtarëve në Kupën e Afrikës, ndaj e quajti të papranueshme shtyrjen e ndeshjes për këto arsye.
“E shoh të vështirë për t’u kuptuar vendimin e shtyrjes së ndeshjes me Arsenalin. Kemi parë të shtyhen ndeshje për shkak të koronavirusit, por kurrë për shkak të dëmtimeve të një skuadre.
Arsenali kishte shumë mungesa, por pjesën më të madhe të tyre për shkak dëmtimesh dhe pjesëmarrjeje në Kupën e Afrikës. Nëse për këto arsye duhet shtyrë një ndeshje, atëherë unë mendoj që Premier League duhet të konsiderojë reduktimin e skuadrave dhe të ulë numrin e sfidave”, deklaroi Antonio Conte.