Nuk ka kohë për pushim tek Interi. Kampionët e Italisë zbresin sot në fushë ndaj Empolit, sfidë e vlefshme për një biletë në raundin çerekfinalen të Kupës së Italisë. Takimi që do të zhvillohet në “San Siro” duke nisur prej orës 21:00, do të transmetohet në Supersport 2.
Trajneri Simone Inzaghi pritet të bëjë rotacion masiv për këtë përballje. Marcelo Brozovic është i pezulluar, dhe do të jetë hera e parë që mesfushori kroat humbet një ndeshje me Inzaghin si trajner, teksa në stol do të përfundojnë emra si Skriniar, Barella, Calhanoglu, Perisic, Bastoni dhe Dzeko.
Pushim edhe për Samir Handanovic, me portën që do t’i besohet rumunit Radu. Ndryshime edhe te Empoli, aty ku pritet ta nisë si titullar Kristian Asllani. Mesfushori 19-vjeçar do të luajë nga minuta e parë bashkë me Nedim Bajramin, ndërsa në stol do të ulen Ardian Ismajli dhe Samir Ujkani.
Sassuolo-Cagliari është takimi tjetër i ditës së sotme në Kupën e Italisë. Sfida e raundit të 1/8-ve fillon në orën 17:30 dhe do të transmetohet në Supersport 2. Asan Mata është grumbulluar në ndeshjet e fundit me Sassuolon.
18-vjeçari i talentuar shqiptar (6 ndeshje dhe 1 gol me Shqipërinë U19) aktivizohet si mesfushor i majtë dhe qendror, dhe sot shpreson të bëjë debutimin me ekipin e parë të Sassuolos.
Formacionet e mundshme
INTER (3-5-2): Radu; D’Ambrosio, Ranocchia, Dimarco; Dumfries, Vecino, Vidal, Gagliardini, Darmian; Lautaro, Correa.
EMPOLI (4-3-2-1): Furlan; Fiamozzi, Romagnoli, Viti, Marchizza; Asllani, Stulac, Bandinelli; Bajrami; Cutrone, Mancuso.