Thomas Partey ka kërkuar falje për kartonin e kuq të marrë ndaj Liverpool.
Reprezentuesi i Ganës u aktivizua mbrëmë me Arsenal, pak orë pasi u kthye nga kontinenti i Afrikës, ku po merrte pjesë në garat e Kupës së Afrikës.
Partey u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Arsenal më pas u eliminua nga Liverpool dhe mesfushori ka kërkuar falje për kartonin e kuq.
“Jam përgjegjës për gjithçka që ndodhi dhe do t’i pranoj kritikat, duhet të jem më inteligjent dhe të mos futem në duele kur jam i ndëshkuar paraprakisht, por ky është personaliteti im. Më pëlqen të luftoj për çdo top”, ishin fjalët e mesfushorit të Arsenal.
“E dua këtë klub dhe e dua shtetin tim, edhe pse gjërat ndonjëherë nuk ndodhin siç dua unë, unë do të vazhdoj të punoj fuqishëm për t’i bërë gjërat siç duhet”, ka shtuar Partey, transmeton lajmi.net.
“Nuk jam i lumtur me çfarë ndodhi dje dhe në AFCON, por unë e kuptoj se vetëm me punë të fortë gjërat do të ndryshojnë, kështu që do të vazhdojë punën e fortë për të ndryshuar këtë”, ishin fjalët e ganezit.
Partey dështoi të kualifikohej në raundin tjetër të Kupës së Afrikës me Ganën, si dhe dështoi të kalonte tutje në Kupën Carabao me Arsenalin.