Goditi me shishe dy futbollistë të Aston Villës, arrestohet një tifoz!
Një tifoz i Evertonit ka përfunduar në prangat e policisë, pasi ka hedhur një shishe në fushë, duke goditur dy futbollistë kundërshtarë në ndeshjen ndaj Aston Villës në “Goodison Park”.
Episodi është regjistruar në shtesën e pjesës së parë, kur futbollistët miq po festonin golin e vetëm të ndeshjes, teksa nga tribuna ka ardhur një shishe plastike, që ka goditur dy futbollistë të Aston Villës, mes të cilëve edhe Lucas Digne, i cili deri pak ditë më parë vishte fanellën e “toffees”.
Menjëherë policia ka marrë në shqyrtim kamerat e stadiumit dhe ka identifikuar e prangosur një tifoz të Everton, ndërsa hetimi vijon për një zbardhje të plotë të ngjarjes. Sa i përket ndeshjes, Aston Villa u largua me tre pikë, falë fitores 0-1.