Mbrojtësi i Manchester City, Aymeric Laporte, ka thënë se fusha e vogël në stadiumin St Mary’s ka qenë fajtor që kampioni në fuqi të ketë vështirësi në barazimin 1:1 me Southamptonin të shtunën.
Southamptoni i sulmuesit shqiptar Armando Broja ia ndërpreu skuadrës së Pep Guardiolës një seri prej 12 fitoreve radhazi në Premierligë, duke e detyruar të lëshojë pikë për herë të parë që prej tetorit.
Laporte u sigurua që City të dilte të paktën me diçka nga kjo ndeshje, duke e shënuar golin e barazimit në pjesën e dytë, pasi Kyle Walker-Peters i kishte kaluar vendasit në epërsi herët në takim.
“Mendoj se ne luajtëm shumë mirë sot, mbase merituam më shumë por nëse nuk e shënojmë më shumë se një gol është e vështirë”, tha Laporte pas ndeshjes.
“Fusha është e vogël, prandaj për neve është pak më shumë e vështirë”, shtoi ai.
City është lider i Premierligës me një epërsi prej 12 pikëve ndaj sfiduesit më të afërt, Liverpoolit, i cili i ka zhvilluar dy ndeshje më pak.