Claudio Ranieri nuk është më trajner i Watfordi. Italiani u shkarkua nga detyra pas vetëm tre muajsh në krye të kësaj skuadre, që po lufton për mbijetesë.
Claudio Ranieri u emërua trajner i Watfordit në tetor, por nuk ka arritur të ndryshojë fatin e skuadrës që zbriti në zonën e rënies për herë të parë këtë sezon pas humbjes ndaj Norwichit të premten. Watfordi ka pësuar disfatë në shtatë nga tetë ndeshjet e fundit të Premier League-s nën drejtimin e Ranierit
I pyetur për të ardhmen e tij pas humbjes së fundit, ish-trajneri i Leicesterit dhe Chelsea-t tha: “Unë nuk largohem. Dua të vazhdoj sepse jam luftëtar. Nuk jam dorëzuar kurrë në karrierën time.”
Me gjithë dëshirën e italianit për të vazhduar, nuk kanë qenë në të njëjtën linjë drejtuesit e klubit, të cilët vendosën shkarkimin e tij.
Drejtuesit e Watfordit do t’ia besojnë skuadrën një trajneri me shumë përvojë, si Roy Hodgson. Mediet britanike shkruajnë se kanë mbetur për t’u përcaktuar vetëm disa detaje të vogla për zyrtarizimin e 74-vjeçarit.