Yjet e Manchester Cityt kanë nisur pushimet pas barazimit me Sauthemptonin. Pep Guardiola i ka dhuruar skuadrës së tij një javë pushimi këtë dimër, pasi hoqi dorë nga plani për një grumbullim në Abu Dhabi.
“Qytetarët”, të cilët kryesojnë Premier Ligën +9 pikë nga vendi i dytë, Liverpuli, kishin planifikuar një kamp në temperaturat e ngrohta pas sfidës kundër Brojës me shokë, duke qenë se ndeshjen e tyre të ardhshme do ta kenë pas dy javësh.
Por, duke qenë se ata nuk do të luajnë sërish deri në 5 shkurt, kur kanë edhe përballjen e 1/16-ave të Kupës FA kundër Fulhamit, tekniku katalanas kërkon që ta shfrytëzojë këtë kohë për të rikarikuar bateritë e skuadrës së tij, e cila po marshon drejt titullit të katërt kampion në pesë vitet e fundit.
“Ne folëm me klubin dhe nuk është shumë e sigurt që të shkojmë atje të gjithë së bashku për shkak të virusit. Prandaj vendosëm që gjithkush mund të shkojë me familjen e tij. Ata do të kenë disa ditë pushimi për t’u çlodhur pak. Shumica e tyre nuk kanë për të pasur kurrë një javë pushimi, sepse do të shkojnë në grumbullim me kombëtaret. Ata mund të kalojnë pak kohë me familjarët dhe miqtë e tyre”, tha 51- vjeçari.
Algjeria u eliminua nga Kupa e Afrikës, por Rijad Mahrez mungoi në ndeshjen kundër Sauthemptonit: “Ai ka pushim një javë. Ka leje për të qëndruar një javë jashtë dhe do t’i bashkohet skuadrës javën e ardhshme”.
Guardiola nuk është i shqetësuar për ndalesën e skuadrës së tij këtë fundjavë, pavarësisht se Liverpuli u afrua në – 9, por rivalët kanë edhe një ndeshje më shumë në dispozicion, e cila mund ta shkurtojë akoma më shumë diferencën: “Ne e kishim thënë se titullin nuk do ta kishim fituar kurrë në janar. Më vjen mirë që tani ata që mendonin se kampionati ishte mbyllur, mendojnë të kundërtën”.