Reali i Madridit duket se ka përcaktuar objektivin e tij të parë për sezonin 22-23 dhe ky nuk është askush tjetër veçse francezi Aurélien Tchouameni, mesfushori i Monacos. Përfaqësues të Realit kanë udhëtuar drejt Principatës për të folur nga afër me menaxherët e futbollistit, i cili ka një vlerë rreth 60 milionë euro.
Mesfushori ka qenë në “radarin” e “Los Blancos” para se të bëhej titullar me Deschamps në përfaqësueses franceze. Ancelotti deklaroi javën e kaluar klubi po kërkon një mesfushor të pastër, që të jetë alternativë ideale për Casemiron dhe i zgjedhuri është Tchouameni.
Ancelotti e ka vendosur Camavingën në mesfushë dhe pavarësisht se e ka kaluar testin, stafi konsideron se është e nevojshme ardhja e një specialisti si lojtari i Monakos, i cili nga një futbollist premtues është shndërruar në në realitet, siç e ka treguar edhe në ndeshjet e fundit të skuadrës franceze.
Skuadra madrilene nuk është e vetmja që ka pyetur për mesfushorin, por siç ndodhi me Camavinga, puna në terren e nisur muaj më parë, i jep përparësi Realit.