Sfida Tirana-Kukesi, sfidë me emocione

Futboll

Sfida Tirana-Kukesi, sfidë me emocione

Më: 28 janar 2022 Në ora: 14:59
Sfida Tirana-Kukesi, sfidë me emocione

Takimi mes Tiranës dhe Kukësit është një nga sfidat që në dekadën e fundit ka prodhuar shumë rivalitet, teksa nga viti 2012 numërojnë 38 takime mes Kupës dhe kampionatit.

Verilindorët janë dominues ndaj bardhebluve, teksa kanë regjistruar 19 suksese, kundrejt vetëm 11 të ekipit kryeqytetas, ndërsa 8 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Kryeqytetasit kanë shënuar 42 herë kundrejt 57 golave të shënuar nga blutë. Suksesi më i thellë u takon verilindorëve, të cilët kanë arritur të fitojnë përballë Tiranës në Zeqir Ymeri 4-0 më 24 tetor të 2012. Përballja e javës së fundit e fazës së dytë i gjen bardheblutë si lider të kampionatit me një avantazh prej 6 pikësh ndaj Kukësit, që i ka shkaktuar një nga dy humbjet që kanë marrë këtë sezon bardheblutë.

25 herë kampionët kanë mbrojtjen më të mirë, teksa kanë pësuar vetëm 11 gola, e do të jetë një sfidë shumë interesante për shkak se përballë do të kenë sulmin më të mirë të kampionatit.

Kuksianët kanë shënuar 30 gola deri më tani, teksa në vetëm një sfidë në këto 17 javë nuk kanë mundur që të shënojnë. Trajneri Orges Shehi ka një skuadër te kompletuar, diçka që e ka konfirmuar dhe vetë ai në daljet e tij në media dhe këtë të dielë do të kërkojë të parën fitore ndaj Kukësit.

Trajneri durrsak nuk do të ketë të disponueshëm sulmuesin Majkëll Ngoo, ndërsa në diskutim është dhe Erjon Hoxhallari, i cili ka pasur probleme shëndetësore. Në anën tjetër, Diego Longo dhe skuadra e tij ka tërhequr vëmendje me lojën argëtuese që aplikon. Verilindorët nuk do të kenë të gatshëm portierin Angelo Tafas, i cili u ndëshkua me karton të kuq në takimin me Skënderbeun, ndërsa sulmuesi Artiom Puntus është ende i dëmtuar, ashtu si dhe për Luka Milunoviç do të jetë stafi mjekësor ai që do të vendosë nëse do të zbresë në fushën e lojës, për shkak se po kalon një shqetësim fizik.

Në Air Albania, rezultati i takimit mes Tiranës dhe Kukësit mund të ketë një peshë të konsiderueshme në fatin e këtij edicioni, pavarësisht se jemi ende në gjysmën e këtij edicioni, që javë pas jave na tregon se ka shumë pak diferenca mes skuadrave, ku çdokush mund të fitojë ndaj kujtdo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat