KOK reagon pas kategorizimit të sporteve.
"Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dëshiron të sqarojë opinionin dhe të gjitha mediat, të cilat hodhën lumë akuzash për shkak të vlerësimit të bërë për Federatën e Futbollit të Kosovës.
KOK, duke vlerësuar punën korrekte të bërë nga komisioni për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, reagon ashpër veçanërisht ndaj shkrimit të gazetës “Bota Sot”, në të cilin mes tjerash thuhet se “Komisioni ka vendosur gjithnjë sipas kritereve që i posedojnë ata”!, “Por për Komisionin pesë anëtarësh, futbolli është sport si duket i dorës së dytë, si duket edhe basketbolli i dorës së dytë, edhe hendbolli si duket i dorës së dytë!
Me këtë rast, KOK konsideron se i gjithë vlerësimi i komisionit, si në rastin e futbollit, ashtu edhe të të gjitha federatave tjera, është bazuar në Rregulloren 04/2018 për Kategorizimin e Sporteve.
Federatës së Futbollit të Kosovës, i janë vlerësuar të gjitha pikët, në të cilat ka pasur dëshmi, ndërsa nuk i janë vlerësuar dy pikë tek pika e 14-të “Kriteret e ngritjes së kapaciteteve”, me ç’rast nuk ka sjell dëshmi të posedimit të Planit Strategjik, ashtu siç e parasheh Neni 14, Pika 1.1 dhe 2 e Rregullores.
E njëjta dëshmi i është kërkuar federatës, edhe pas shqyrtimit të dokumentacionit, por që as herën e dytë nuk është sjell!
Po ashtu, krahas futbollit, sportet si basketbolli dhe hendbolli, të cilat përmenden në shkrimin e “Bota Sot” si sporte të dorës së dytë, komisioni të dyja këto sporte i ka vlerësuar deri në katër pikë më shumë krahasuar me vlerësimin e fundit.
KOK gjithashtu informon të gjitha palët e pakënaqura me vlerësimin, se ankesat mund t’i dërgojnë në afat prej tetë ditësh, pas dërgimit të raportit në detaje, ankesa këto që do të shqyrtohen nga komisioni i ankesave”, reagon KOK-u.
Sa për dijeni të KOK-ut, ndër shumë reagime ka reaguar edhe trajneri më i mirë në botë, Driton Kuka, kur thotë: “Xhudo Sporti nr 1 në Kosovë!
Por…
Me pikët e grumbulluara sivjet xhudo më pak pikë se vitin e kaluar!
Po edhe keni të drejtë se dy medalje të Arta Olimpike s’mjaftojnë mu rrit numri i pikëve!
Kritere të stërvjetëruara të Kategorizimit e xhudos keni pas drejtë me ja ul pikët!”.
Sa për dijeni të KOK-ut, edhe ish nënkryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Hysni Prelvukaj, ka reaguar për këto padrejtësi.
“Duhet me konkurruar me kualitet, se me i harxhuar paratë e taksapaguesve e me shit çallëm e rezultate askund, kësaj i thonë mozamakeq!
Federata e Xhudos nuk ka organizuar asnjë Kampionat Evropian as Botëror por ja u ka marrë krejt medaljet e mundshme, KOK me bë kësi krahasime është turp i turpit për KOK-un e jo për FVK-ën!
FVK shumë ma mirë kish qenë me i investuar ato mjete r me prodhu lojtar të ri se me i shitë mend shteteve në rajon, ato investo në ngritjen e kualitetit e na në mikpritje. Situata në klube kurrë s’ka qenë ma keq, klubet ma në zë janë para shuarjes, s’kanë lojtar por me nga një gjysëm ekipi e pa stërvitje prej loje në lojë, kësaj i thua sukses!!!”, ka komentuar Prelvukaj!
Edhe vet një anëtar i Komisionit të KOK-ut, e pranon se rregullorja nuk është si duhet dhe duhet të ndryshohet, atëherë çfarë komenti do këtu!