Vedat Muriqi do të vijojë karrierën në La Liga. Sulmuesi dardan u ble nga Lazio për shumën e 20 milionë eurove në shtatorin e vitit 2020, por ai nuk arriti të lërë gjurmë tek ekipi italian, duke shënuar vetëm një gol në Serie A.
Trajneri Sarri nuk e ka në plane dhe Lazio e ka nxjerrë prej kohësh në merkato lojtarin nga Prizreni, autor i 18 golave në 37 ndeshje me Kosovën. Për Muriqin interesohet Mallorca, që ka arritur akordin me drejtuesit e Lazios.
27-vjeçari do të huazohet në ishull deri në fund të sezonit, teksa Mallorca do të ketë mundësinë e blerjes së kartonit të Muriqit për shumën e 12 milionë eurove.
Në marrëveshjen mes klubeve, që pritet të zyrtarizohet ditën e shtunë, është vendosur që rrogën e lojtarit potent ta paguajë Mallorca, që renditet në vendin e 17-të në La Liga, dy pikë mbi zonën e ftohtë.