Prej thuajse një viti lojtari i Monaco, Aurelien Tchouameni është kthyer në një objektiv të Real Madrid. Klubi spanjoll ka dërguar edhe skautë në Principatë për të ndjekur nga afër mesfushorin, ndërsa së fundmi klubi i Monacos ka bërë të ditur edhe shifrën që pretendon nga “mbretërorët spanjollë” për lojtarin e tyre.
Në fakt, francezët kanë rritur “pazarin” teksa tashmë ata e vlerësojnë kartonin e futbollistit të tyre 22-vjeçar te një shumë që varion nga 80 deri në 100 milionë euro, teksa deri një sezon më parë çmimi i mesfushorit nuk i kalonte 60 milionë euro.
Megjithatë, Tchouameni është kthyer tashmë edhe në një lojtar të kombëtares teksa ai ka fituar besimin e trajnerit Didier Deschamp e kjo i ka dhuruar një tjetër stad lojtarit të Monaco.
Sakaq, për mesfushori interesim ka pasur edhe nga ana e klubeve angleze si Manchester United dhe Chelsea, madje këta të fundit kanë kontaktuar edhe me agjentin e lojtarit francez, Jonathan Kebe. Gjithsesi, pretendentë kryesorë për Tchouameni mbeten Los Blancos, ndërsa nga ana tjetër PSG është tërhequr nga kjo garë për t’u fokusuar te Paul Pogba.