Vllaznia rikthehet te fitorja në Abissnet Superiore pas katër barazimeve radhazi. Ekipi shkodran fitoi 0:1 në Kamzë përballë Kastriotit, që regjistroi humbjen e parë me Emiliano Çelën në stol.
Ndeshja ishte tepër e luftuar, dyluftimet e ashpra dhe kartonët e verdhë nuk munguan, por në fund sfida u vendos nga një penallti e saktë e Liridon Latifit 14 minuta përpara fundit.
Mustedanagic dhe Latifi kërcënuan vendasit në pjesën e parë, por Sali ndodhej në një ditë shumë të mirë. Vllaznia vijoi të sulmonte, teksa Kastrioti ishte i rreshtuar me forca të shumta në prapavijë.
Latifi, Krymi dhe Kruja iu afruan golit në pjesën e dytë, por për t’u zhbllokuar takimi u desh ndërhyrja e VAR-it në çerekorëshin e fundit të lojës. Ardit Krymi u frenua në mënyrë të parregullt dhe penallti për Vllazninë.
Liridon Latifi gjuajti saktë, gjeti golin e gjashtë sezonal në Superiore dhe i dhuroi tre pikë të arta ekipit të Brdaric. Mevlan Adili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutat shtesë, por miqtë e ruajtën avantazhin e artë, dhe tani numërojnë 30 pikë.
Kastrioti-Vllaznia 0:1 (Latifi pen 76′).