Për shkak të problemeve financiare, Barcelona nuk u tregua aspak aktive në merkaton e verës së kaluar me klubin që u detyrua t’i besonte të rinjve dhe lojtarëve nga e kaluara të cilët tashmë nuk garantojnë më të njëjtin rendiment si më parë.
E gjithë kjo situatë u reflektua edhe në kampionat me ekipin që pati shumë probleme ndërsa mund të konsiderohet jashtë garës për titullin në kampionat teksa u eliminua edhe nga Champions League ndërsa aventurën europiane do ta vazhdojë në Europa League.
Kështu, të detyruar nga kjo situatë, te Barcelona u detyruan të ishin aktivë në merkaton e janarit ndërsa ia dolën të transferonin plot katër futbollistë ku spikat Ferran Torres nga Manchester City që kushtoi plot 55 milionë paund, ndërsa në listën e transferimeve janë edhe Pierre-Emerick Aubameyang, Dani Alves dhe Adama Traore.
Por, një nga këta katër futbollistë duhet të “përjashtohet” nga trajneri Xavi Hernandez për kompeticionin e Europa League duke qenë se ky format europian lejon aktivizimin e jo më shumë se tre futbollistëve që i bashkohen një klubi në janar. Mediat bëjnë të ditur se mundësitë më të mëdha janë që jashtë skuadrës për Europën të mbetet Aubameyang, edhe pse një tjetër që rrezikon është edhe Adama Traore.
Kujtojmë se ndeshja e Europa League për Barcelonën është më datë 17 janar ndaj Napolit e vlefshme për fazën e 1/16-tave të Europa League.