Gjigandi italian këtë afat kalimtar të transferimeve të janarit arriti të sigurojë shërbimet e sulmuesit serb Dusan Vlahovic, duke i pagur Fiorentinës dëmshpërblim prej 75 milionë eurosh.
Vlahovic shihet si zëvendësuesi ideal i yllit Cristiano Ronaldo, ku ky i fundit la verën e kaluar Juventusin vetëm për t’iu bashkuar gjigandit anglez Manchester United.
Por, në garën për të siguruar shërbimet e Vlahovic, “Zonja e Vjetër” kishte edhe rivalë të tjerë, ku njëra nga to ishte edhe skuadra londineze Arsenal.
Në një intervistë si lojtar i Juventusit, sulmuesi serb e konfirmoi interesimin e skuadrave jashtë Italisë, ku më pas tregoi se vendimi për t’iu bashkuar gjigandit italian ishte i lehtë.
“Kishte shumë spekulime nga klube të ndryshme jashtë Italisë, por ishte një zgjidhje tejet e lehtë për mua që të nënshkruajë për Juventusin. Ky klub ka mentalitetin e fituesit, njëjtë sikurse unë që e kam”, tha Vlahovic.
“Jam tejet i lumtur, jam duke iu bashkuar një klubi madhështor dhe kjo është ajo që doja. Mezi jam duke pritur”, shtoi sulmuesi serb.
Në këtë gjysmë-sezon, në 24 paraqitje në të gjitha garat për Fiorentinan, Dusan Vlahovic ka regjistruar plot 20 gola dhe katër asistime mbi emrin e tij.